A mbahet mësimi të hënën në shkollat e vërshuara nga uji? Nagavci ka një njoftim

Reshjet e mëdha të shiut që sollën vërshime në shumë komuna të Kosovës kanë pamundësuar edhe mbajtjen normale të procesit mësimor në disa shkolla.

Këtë e thotë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, shkruan lajmi.net.

Ajo me anë të një postimi në Facebook ka thënë se situata aktuale është duke u monitoruar nga orgenet përgjegjëse dhe se do të ketë informim në kohë nëse në ditën e hënë do të mbahet mësim në komunat e prekura nga reshjet.

Postimi i plotë i Nagavcit:

Për shkak të reshjeve të mëdha në vendin tonë, të cilat kanë sjellë vërshime në disa komuna, është pamundësuar mbajtja e procesit mësimor në disa shkolla.

Zyrtarët e MAShTI, të premten, kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve, si dhe dëmet e shkaktuara në objekte shkollore.

Si Ministri jemi duke e përcjellë me kujdes të veçantë situatën dhe në kontakt të vazhdueshën me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente si dhe drejtorët e DKA-ve ndërsa do të ju informojmë me kohë për ditën e hënë si dhe me drejtorët e DKA-së, për t’u informuar në detaje për çdo zhvillim në komunën e tyre.

Bazuar në të dhënat e MASHTI, komunat të cilat nuk kanë mbajtur mësim sot dhe kanë pësuar dëme për arsye të reshjeve të shiut janë:

Podujevë: Mësimi nuk është zhvilluar në fshatin Pakashticë dhe në fshatin Peran.

Viti: Në katër fshatra të Vitisë ka dëme të çative në shkolla, mirëpo mësimi është duke u mbajtur.

Mitrovicë: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat.

Skënderaj: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat.

Pejë: Mësimi nuk është mbajtur në fshatin Kliqinë, ndërsa në fshatrat tjera deri më tash nuk ka probleme.

Istog: Mësimi nuk është mbajtur në shkollën “Avni Rrustemi”, kurse dëme të mëdha ka edhe në shkollat tjera, por mësimi është zhvilluar.

Klinë: Mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë të kësaj komune, si arsye e dëmeve dhe vërshimeve që janë krijuar nga të reshurat.

Zubin Potok: Mësimi nuk është duke u mbajtur në asnjë shkollë, si arsye e dëmeve.

Ndërkaq, komunat të cilat kanë raportuar që nuk kanë dëme dhe mësimi është mbajtur në të gjitha shkollat janë: Prishtinë, Fushë Kosovë, Drenas, Ferizaj, Shtime, Lipjan, Hani i Elezit, Kaçanik, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Gjilan, Kamenicë, Novobërdë, Vushtrri, Deçan, Prizren, Suharekë, Junik, Dragash, Mamushë, Leposaviq, Zveçan. /Lajmi.net/